_mg_5533

Gerton Bejo, CEO i Vatra për Revistën Monitor: ‘Kompanitë shqiptare të fokusohen te marketingu dhe burimet njerëzore’

Në një intervistë të dhëne për “Monitor“, revistën e përjavshme me profil ekonomik, CEO i Vatra-s i përgjigjet një serie pyetjesh që lidhen me ecurinë e tregut të reklamave gjatë vitit që kaloi dhe ajo çka pritet që të ndodhë në vitin që sapo kemi nisur.

Për Gerton Bejon, CEO i agjencisë publicitare VATRA me aktivitet në Tiranë, Prishtinë e Shkup, bizneset shqiptare në përgjithësi duhet të kthejnë vëmendjen në përcaktimin e një buxheti vjetor për marketingun. Ai shton se kanalet më të besueshme për të çuar mesazhet te audiencat mbeten ende mediat tradicionale, që kapin një target audience të caktuar, por vitet e fundit interesi është rritur dhe për mediat online dhe rrjetet sociale.

Ndryshe nga viti 2017, kur sektori i reklamës paraqitej dobët, viti 2018 tregoi përmirësim, sidomos sa u takon reklamave televizive. Si e vlerësoni ecurinë e tregut?

Është e vërtetë që reklamat televizive thithin buxhetin më të madh të marketingut të shpenzuar nga bizneset. Mediat tradicionale vazhdojnë të shesin besueshmëri më të madhe nga mediat e reja, të cilat janë më pak të pakontrolluara.

Rritja apo ulja e buxheteve për televizion dhe radio, është e lidhur me faktorë të tjerë dhe me zhvillime të ndryshme në vend, prandaj nëse kemi përmirësim, ky është një tregues që duhet të na bëjë ne si industri më optimistë.

Çfarë pritet nga viti 2019?

Duke qenë se përcaktimi i një buxheti vjetor për marketingun, vazhdon të mos jetë pjesë e kulturës së biznesit shqiptar në përgjithësi, ajo që pres është kthimi i vëmendjes në këtë aspekt. Buxhetet e marketingut së bashku me burimet njerëzore, janë ato që e pësojnë të parat, si pasojë e mosparashikimit vjetor. Këto shpenzime i lihen rastësisë, por në vitin 2019, kjo duhet të ndryshojë. Ndërgjegjësimi vjen duke u rritur, por ka ende shumë për t’u bërë dhe pres që nga ky vit e në vazhdim, kompanitë shqiptare të qartësohen dhe fokusohen më shumë në këta dy sektorë.

Si po ndryshon sjellja e reklamuesve?

Së pari, për shkak të ndryshimit të audiencave, teknologjisë dhe epokës në të cilën jetojmë, ndryshimi i sjelljes qëndron te kanalet e shpërndarjes së mesazhit dhe reklamave. Siç e thashë, kanalet më të besueshme për të çuar mesazhet te audiencat mbeten ende mediat tradicionale, që kapin një target audience të caktuar. Por është e pranuar që mediat online dhe mediat sociale, sa vijnë e bëhen rrugë të rëndësishme komunikimi me konsumatorët, gjithashtu në bazë të strategjive, produkteve e targeteve të caktuara.

Së dyti, çfarë e shoh mjaft pozitive është që më në fund, një pjesë e kompanive kanë qartësuar në strategjitë e tyre, rëndësinë e kontraktimit të agjencive të specializuara të marketingut. Ato biznese që e dinë vlerën e marketingut, janë ndërgjegjësuar se vetëm një agjenci kreative multidisiplinore mundet të ofrojë zgjidhjet e duhura dhe efikase për marketingun e tyre. Agjencia propozon koncepte të reja dhe i zbaton në kohën e duhur, jo vetëm për të ruajtur, por edhe për të shtuar vlerën e markës.

Për arsye kulture, një pjesë tjetër e bizneseve përdorin staf të brendshëm për nevojat e marketingut, duke besuar se shkurtojnë kostot, gjë që në fakt shpesh nuk rezulton pozitive si zgjedhje. Ndodh që, për shkak të shterimit dhe përsëritjes së ideve për të njëjtat produkte apo shërbime, të njëjtët njerëz që punojnë për marketingun brenda kompanisë, pas pak kohësh mund ta humbin produktivitetin. Roli i ekspertizës edhe në fushën e marketingut, pra kontraktimi i agjencive, sa vjen dhe vlerësohet, gjë që për mua është një ndër ndryshimet e mira të sjelljes së reklamuesve.

Si paraqitet konkurrenca ndërmjet agjencive?

Vë re se ka një mosrënie dakord mes ekspertëve dhe drejtuesve të agjencive. Numri i agjencive është rritur vitet e fundit në Shqipëri, por nuk është gjetur një gjuhë e vetme për të mbrojtur industrinë ku operojmë së bashku. Jemi konkurrentë që punojmë fort për rritje personale dhe cilësore, por kemi treguar që jemi të paaftë të punojmë së bashku si partnerë në industri. Një nga gjërat që shpresoj të ndryshojë këtë vit dhe në vazhdim, është që të gjithë bashkë të bëhemi më largpamës për të forcuar rregullat e lojës për interesin e përbashkët. Më vjen keq që nuk kemi forume serioze gjithëpërfshirëse apo më shumë evente, ku të marrin pjesë gjithë aktorët e tregut. Na duhet që talentin dhe kreativitetin, ta përkthejmë në një gjë më të madhe.

A pritet të hyjnë reklamues të rinj në treg?

Ne presim zhvillim të biznesit dhe rrjedhimisht, edhe shtim të reklamuesve të rinj, por kjo është në varësi të situatave makro dhe mikroekonomike në vend dhe në rajon.

Konstatimi

Numri i agjencive është rritur vitet e fundit në Shqipëri, por nuk është gjetur një gjuhë e vetme për të mbrojtur industrinë ku operojmë së bashku. Jemi konkurrentë që punojmë fort për rritje personale dhe cilësore, por kemi treguar që jemi të paaftë të punojmë së bashku si partnerë në industri.

Artikullin origjinal mund ta lexoni duke klikuar këtu